image Austri: Të djathtës ekstreme nuk i kërkohet të formojë Qeverinë ndonëse fitoi zgjedhjet

Evropë

Austri: Të djathtës ekstreme nuk i kërkohet të formojë Qeverinë ndonëse fitoi zgjedhjet

news image

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, i ka kërkuar liderit të Partisë Popullore konservatore dhe kancelarit aktual, Karl Nehammer, që të formojnë një koalicion qeveritar, pavarësisht faktit që Partia e Lirisë, e ekstremit të djathtë, i ka fituar zgjedhjet e përgjithshme një muaj më parë.

Partia e Lirisë, parti kundër migrantëve dhe miqësore me Rusinë, ka dalë e para në zgjedhjet e shtatorit, duke siguruar rreth 29 për qind të votave dhe lideri i saj pati thënë se duhet të udhëheqë qeverinë e ardhshme.

Megjithatë, të gjitha partitë e kanë hedhur poshtë mundësinë e një koalicioni me këtë parti.

Pas bisedimeve të zhvilluara mes tri partive më të mëdha, presidenti ka thënë se është e qartë se Kickl “nuk do të mund të gjejë partner për koalicion që do ta bënte kancelar”.

“Zgjedhjet parlamentare të 29 shtatorit nuk janë garë që përcakton se partia që e kalon e para garën, e formon edhe qeverinë”, ka thënë 80-vjeçari përmes një adresimi televiziv.

“Nëse një parti dëshiron të qeverisë vetë, duhet të fitojë mbi 50 për qind. Nuk është e mjaftueshme të fitosh, 10, 20 apo 30 për qind të votave”.

/GazetaSinjali/