Një 26-vjeçare nga Kosova është shpëtuar falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë dhe ekipeve emergjente në Linz të Austrisë.
Ngjarja ka ndodhur herët në mëngjes, rreth orës 06:10, kur bashkëshorti i saj 29-vjeçar e ka gjetur gruan pa ndjenja në shtrat dhe duke pasur vështirësi në frymëmarrje.
Pas alarmimit të familjarëve dhe thirrjes së ekipeve të emergjencës, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur policia dhe ekipet mjekësore, të cilat kanë nisur menjëherë reanimimin.
Policët dhe paramedikët kanë kryer masazhe në zemër, ndërsa mjeku emergjent ka marrë përsipër trajtimin e mëtejshëm. Pas disa tentimeve me defibrilator, rrahjet e zemrës së gruas janë rikthyer.
E reja, nënë e dy fëmijëve të vegjël, është transportuar më pas për trajtim në Spitalin Universitar Kepler në Linz, e shoqëruar nga një mjek i urgjencës.
Fëmijët e familjes, të moshës dy vjeç dhe katër muajsh, kanë qenë në apartament gjatë gjithë kohës së incidentit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!