image Auditimi në MPB: Zbulohen parregullsi financiare, mbi 12.5 milionë euro pagesa të klasifikuara gabimisht

Politikë

Auditimi në MPB: Zbulohen parregullsi financiare, mbi 12.5 milionë euro pagesa të klasifikuara gabimisht

news image

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin për Pasqyrat Financiare Vjetore 2025 të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ku janë evidentuar parregullsi të shumta në menaxhimin financiar, raportimin dhe administrimin e personelit.

Sipas raportit, një nga gjetjet kryesore lidhet me klasifikimin e gabuar të shpenzimeve. Gjatë vitit 2025, janë ekzekutuar pagesa në vlerë prej 12.56 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore dhe urdhrave përmbarimorë, të cilat janë regjistruar në kategori të pasakta buxhetore.

Prej tyre, mbi 10 milionë euro janë regjistruar si investime kapitale, rreth 2.31 milionë euro si mallra dhe shërbime, ndërsa mbi 185 mijë euro si subvencione dhe transfere, ndonëse pjesa më e madhe e tyre lidhej me detyrime të natyrës së pagave dhe obligimeve të ngjashme.

Auditimi ka konstatuar gjithashtu mbivlerësim të detyrimeve kontingjente në vlerë prej 2.73 milionë euro, si pasojë e regjistrimeve të pasakta dhe mosreflektimit të plotë të vendimeve gjyqësore në sistemet financiare.

Në raport përmenden edhe parregullsi në pagesa të shtesave për kushte specifike pune, ku 19 zyrtarë të suspenduar kanë vazhduar të përfitojnë shtesa edhe pas ndërprerjes së ushtrimit të detyrave përkatëse.

Po ashtu, janë evidentuar edhe pagesa për 19 punonjës që nuk kanë qenë aktivë në punë gjatë vitit 2025 për shkak të proceseve administrative të pazgjidhura, me përfitime që kapin vlerën rreth 119,999 euro.

ZKA ka identifikuar gjithashtu mangësi në menaxhimin e kontratave, kontrollin e brendshëm dhe zbatimin e legjislacionit financiar, duke rekomanduar forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe përmirësimin e planifikimit buxhetor.

Në total janë dhënë 12 rekomandime për MPB-në, prej të cilave pesë të reja, katër të përsëritura dhe tre pjesërisht të përsëritura. Ministria ka pranuar gjetjet dhe ka premtuar adresimin e tyre.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/