Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se është rritur numri i të hyrave duke tejkaluar objektivat e planifikuara.
Sipas ATK-së në periudhën janar-korrik 2019, janë mbledhur 297 milion euro ose 10.9 % apo 29.1 milion euro më shumë se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërsa, vetëm për muajin korrik janë tejkaluar planifikimet e parapara për 4.4 milion euro.
Administrata Tatimore thekson se ky trend është si rezultat i zhvillimit të një mori aktivitetesh, në drejtim të përmbushjes vullnetare, luftimin dhe parandalimin e ekonomisë jo-formale, trajtimin e borxheve, si dhe veprime të tjera të cilat janë në prioritet të ATK-së.
“Përveç këtyre, pjesë e rezultatit janë edhe reformat brenda institucionit të ATK-së, ku me theks të veçantë është ngritja e llogaridhënies te pjesa e stafit operativ, në drejtim të rritjes së kualitetit të punës, si dhe trajtimi i barabartë i të gjithë tatimpaguesve”, thuhet në një njoftim./Sinjali/