I plagosuri i atentatit të mbrëmshëm në Vlorë, pasi ka marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës është nisur drejt Traumës në gjendje të rëndë për jetën për të marrë një ndihmë mjekësore më të specializuar.
Besohet se në atentatin ndaj tij kanë marrë pjesë tre persona, dy të cilët godasin me kallashnikov në drejtim të mjetit Benz të 30-vjeçarit, raporton A2CNN.
Policia e Vlorës pas ngjarjes ka ushtruar kontrolle në banesa dhe biznese jo vetëm në zonën ku ndodhi ngjarja por në të gjithë qytetin.
Në komisariatin e Vlorës janë mbi 20 persona që po merren në pyetje, të cilët janë kryesisht miq, familjarë të viktimës, dëshmitarë të rastit dhe ata të cilët mund të konsideroheshin “armiq” të tij apo kushëririt të tij.
Prej dëshmive nuk kanë dalë detaje të cilat mund të ndihmojnë zbardhjen e ngjarjes, ndërsa policia vijon edhe sot kontrollet dhe sekuestrimin e kamerave të sigurisë.
Deri më tani, janë sekuestruar me dhjetëra servera të kamerave në zonë dhe përgjatë itenerarit ku kanë lëvizur autorët.