Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë zhvilluar sot një takim me Asociacionin e Komunave të Kosovës lidhur me shtrëngimin e masave antiCOVID, shkruan Gazeta Sinjali.
Pas këtij takimi, Bordi i AKK-së, ka njoftuar se nuk i përkrahë masat e reja që sjellin kufizime më të ashpra, pasi që sipas tyre përkundër qëllimeve të mira shëndetësore, ndikon rëndë në sektorët e caktuar të ekonomisë.
“Kryetarët e Komunave vlerësojnë se duhet të respektohen masat aktuale me rigorozitet, të rritet numri i aktiviteteve inspektuese, të rritet angazhimi dhe përkushtimi i policisë, të rritet edhe përkrahja me barna esenciale sepse ka ngecje serioze me furnizim. Nuk është mirë të ketë kufizime sepse është koha e të mbjellave, e edhe gastronomia është e lidhur me bujqësinë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e AKK-së.
Njoftimi i plotë i AKK-së:
DEKLARATË E BORDIT TË AKK-së
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës në takimin e sotëm debatoi lidhur me mbylljen e paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës në kuadër të parandalimit të përhapjes së pandemisë Covid-19.
Në këtë takim Bordi vlerësoi se është shumë e rëndësishme që masat kundër përhapjes së pandemisë Covid-19 të vazhdojnë të zbatohen në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve tanë.
Por, Bordi në anën tjetër vlerëson se nuk i përkrah masat e reja që sjellin kufizime më të ashpra. Ky vlerësim vjen për arsye se, përkundër qëllimive të mira shëndetësore, kjo mbyllje do të ndikoj tepër rëndë në sektorë të caktuar të ekonomisë së vendit tonë.
Kryetarët e Komunave vlerësojnë se duhet të respektohen masat aktuale me rigorozitet, të rritet numri i aktiviteteve inspektuese, të rritet angazhimi dhe përkushtimi i policisë, të rritet edhe përkrahja me barna esenciale sepse ka ngecje serioze me furnizim. Nuk është mirë të ketë kufizime sepse është koha e të mbjellave, e edhe gastronomia është e lidhur me bujqësinë.
Poashtu Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës vlerëson se institucionet qendrore dhe shëndetësore duhet të vazhdojnë konsultimet me Kryetarët e Komunave në nivel më të gjerë të përfshirjes, në mënyrë që të kemi vlerësim më real të gjendjes dhe bashkëpunimit mes nivelit qendror dhe lokal për formën dhe masat kufizuese.