image Asnjë test për koronavirus nuk është bërë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas

Kosovë

Pandemia/ Asnjë test për koronavirus nuk është bërë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas

news image

Asnjë person nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas (RAE) nuk është prekur në Kosovë nga koronavirusi i ri, pasi që deri tash nuk u është bërë asnjë test, kanë thënë zyrtarë që merren me mbrojtjen dhe monitorimin e këtyre pakicave.

Bekim Syla, nga Qendra Dokumentuese për Rom, Ashkali dhe Egjiptas, tha se organizata e tij vazhdimisht është duke punuar në terren dhe se deri tash nuk ka rezultuar asnjë person i prekur me Covid- 19 nga këto minoritete.

“Për fat të mirë asnjë në Kosovë nuk është i prekur me koronavirus. Por, me sa kam informata, asnjë test nuk ju është bërë këtyre komuniteteve. Por nuk kanë as shenja asnjëri prej tyre”, tha Syla.

“Gjendja e tre komuniteteve është më e rënda në gjithë Kosovën. Kjo duke e marrë parasysh gjendjen ekonomiko-sociale të kësaj kategorie, pasi shumica jetojnë me asistencë sociale”, theksoi Syla.

Sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara që merret me refugjatët, UNHCR, komuniteti rom në Evropë ballafaqohet me rrezik të lartë e përhapjes së Covid-19.

“Përkundër vështirësive ekonomike që po ballafaqohen, Zoti ka dashur që t’i mbrojë prej sëmundjes. Asnjë nuk është i prekur tash për tash me virusin, e që na bën të ndjehemi mirë. Por, nëse vazhdon kjo situatë nuk e besoj se mund t’i bëjë ballë kësaj pandemie pasi po ballafaqohen me mungesa të mëdha prej ushqimit, pakos higjienike e deri te barnat,” tha për REL, Albert Kinolli, deputet i parlamentit të Republikës së Kosovës nga komuniteti rom.

Deputeti Albert Kinolli tha se Qeveria e Kosovës, sikur shumë vende në Kosovë, i ka futur në karantinë edhe personat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, por asnjëherë nuk është interesuar nëse ata kanë ushqim, barna apo gjëra elementare për jetesë.

Qeveria e Kosovës tashmë ka ndarë mbi 170 milionë euro për të zbutur efektet ekonomik të pandemisë. Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas mund të përfitojnë shumë pak nga kjo ndihmë, pasi ata kryesisht nuk kanë punë të rregullta.