Asnjë nga pelegrinët që kanë marrë pjesë në haxhillëk këtë vit nuk është infektuar me COVID-19 deri më tani.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë në Arabinë Saudite, duke shtuar se shteti këtë vit përzgjodhi vetëm 1 mijë pelegrinë – mes moshave 20 dhe 50-vjeçare. Shteti vendosi karantinë dyjavore para haxhillëkut, i testoi ata, u mbajti trajnime për distancë sociale si dhe e vëzhgoi gjendjen e tyre shëndetësore.
Kujtojmë se rituali mysliman, i cili filloi të martën dhe përfundon të dielën, zakonisht tubon mbi dy milionë njerëz, por pas përhapjes së koronavirusit, autoritetet saudite u detyruan t’ua ndalojnë haxhillëkun shtetasve të huaj për këtë vit, shkruan “CNN”.
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e përgëzoi Arabinë Saudite për hapat që i ka marrë për parandalimin e përhapjes së virusit.
Të shtunën, Arabia Saudite i regjistroi 1,573 raste të reja të koronavirusit dhe 21 viktima.
Ky shtet e ka numrin më të lartë të të infektuarve në botën arabe me gjithsej 277,478 të infektuar./Gazeta Sinjali/