image Asnjë parti ende s’e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë, KQZ në pritje

Politikë

Asnjë parti ende s’e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë, KQZ në pritje

news image

Që nga shpallja e datës 9 shkurt 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, partitë politike kanë filluar që herë pas here të publikojnë emrin e ndonjë kandidati për deputet.

Por, ndonëse ka një muaj që është hapur afati për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë, deri më tani asnjë parti politike nuk ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listën me emrat e kandidatëve.

Zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit dhe afatet e gjata ligjore, kanë krijuar komoditetin për partitë politike që dalëngadalë të hartojnë listën me emrat e kandidatëve për deputetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se deri më tani asnjë parti politike nuk ka dorëzuar në këtë institucion listën e kandidatëve për deputetë.

“Deri më 11 dhjetor të këtij viti, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat e tyre për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listat e tyre me emrat të kandidatëve për deputetë. Kjo periudhë ka filluar më 1 shtator, por mund t’iu konfirmoj se deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike”, bëri të ditur Elezi.

Sipas KQZ-së, të gjithë kandidatët që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, do t’i nënshtrohen verifikimit të institucioneve të ndryshme, me qëllim që të vërtetohen nëse kandidatët që garojnë për deputetë janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Në mesin e institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) për të vërtetuar nëse ndonjëri nga kandidatët për deputetë është dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë burgim efektiv, i cili nuk do të mund të kandidojë.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës është njëri prej institucioneve që KQZ-ja do të kërkojë verifikim të kandidatëve. Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv. Prandaj, me qëllim të zbatimit të këtij përcaktimi ligjor, do të kërkojmë nga KGjK-ja që të verifikojë listën e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre nuk është në përputhje me këtë kufizim ligjor”, ka thënë Elezi.

Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet i cili ka funksion të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për zyrtarët publikë; anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomatik; kryesues apo anëtar i KQZ-së dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve; zyrtar i PZAP-së; me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it./EO/

/GazetaSinjali/