image Ende asnjë fjalë nga presidentja e kryeministri për dënimin e kriminelit Ratko Mladiq

Politikë

Ende asnjë fjalë nga presidentja e kryeministri për dënimin e kriminelit Ratko Mladiq

news image

Sot Gjykata Nërkombëtare për Krimet e Luftës ka dhënë vendimin përfundimtar për Ratko Mlladiq, të cilin e ka dënuar me burgim të përjetshëm, shkruan Gazeta Sinjali.

Liderë të shumtë botërorë kanë reaguar pas vendimit të gjykatës për Ratko Mladiqin, në mesin e të cilëve edhe Presidenti amerikan Joe Biden, i cili tha se ky vendim është historik duke shtuar se ata që kryejnë krime do të mbajnë përgjegjësi.

Derisa pati reagime nga liderë të shumtë botërorë dhe institucione të larta ndërkombëtare, ende nuk ka një reagim lidhur me dënimin e Ratko Mladiqit, nga institucionet më të larta të Kosovës, Presidenca dhe Kryeministria.

Por në lidhje me Mladiqin ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se për këtë krim nuk është fajtor vetëm Mladiqi, por edhe Serbia si përgjegjësja dhe planifikuesja e këtij gjenocidi.

Haxhiu ka thënë se konfirmimi i dënimit me burgim të përjetshëm nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për ish-komandantin ushtarak serb të Bosnjë dhe Hercegovinës, Ratko Mlladiq, është lajm i mirë jo vetëm për familjet e viktimave, por edhe për drejtësinë ndërkombëtare.

Sipas saj, në këtë drejtim është e domosdoshme që autoritetet në Kosovë, krahas evidencës shtetërore përmes Institutit për Krimet e Luftës dhe fuqizimit të institucioneve të drejtësisë për adresimin e krimeve të luftës, të përgatisim mirë edhe Padinë për Gjenocid ndaj Serbisë.

Më 8 qershor, Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara e mbështetën dënimin me burgim të përjetshëm, të shkallës së parë, ndaj ish-shefit ushtarak serb, Ratko Mlladiq për organizimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe mizorive të tjera gjatë gjithë luftës së Bosnjës më 1992-95.

Dhoma e Apelit e Mekanizimit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, gjithashtu hodhi poshtë apelin e prokurorisë për të fajësuar, Ratko Mlladiqin, për gjenocid në gjashtë qytetet tjera të Bosnje dhe Hercegovinës.

Mekanizimi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë është një institucion pasardhës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Vendimi i Apelit do të thotë që ish-gjenerali 79-vjeçar do të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij në burg.

Në vitin 2017, Haga e ka dënuar Mlladiqin – në shkallë të parë – me burgim të përjetshëm, pasi është shpallur fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës.

Gjyqi kundër tij kishte filluar në vitin 2012 dhe ka zgjatur gjithsej 530 ditë.

/GazetaSinjali/