E drejta për shkollim është e garantuar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar, të cilën jo çdo nxënës po mundet ta shfrytëzoj, raporton Gazeta Sinjali.
Sot gjatë ditës, kur edhe u shënua fillimi i vitit të ri shkollor, u raportua se një vajzë në Gjakovë nuk është lejuar të vijoj mësimin shkaku i bartjes së shamisë së fesë islame.
E, për këtë ngjarje, ka reaguar imami i njohur kosovar, Labinot Maliqi i cili tha se ky rast do të rregullohet brenda javës, teksa u bëri thirrje qytetarëve të vetëpërmbahet pasi siç u shpreh ai ligji është në anën e tyre dhe askush nuk mund t’i përjashtoj vajzat nga shkollat publike të Kosovës, vetëm për shkak se ato e bartin shami.
“Për rastin e një vajze në Gjakovë, e cila nuk është lejuar sot të vijon mësimin për shkak të bartjes së shamisë, jam në dijeni për të. Do të rregullohet brenda javës tjetër, inshaAllah. Ju ftoj të keni vetëpërmbajtje, dhe të mos silleni sikur jeni minoritet dhe të dobët, sepse nuk jemi të tillë. Askush nuk do të mund t’i përjashtoj vajzat nga shkollat publike të Kosovës, vetëm për shkak se ato e bartin shaminë në kokat e tyre. ASKUSH! Ligji është në anën tonë”, u shpreh ai.
Më shumë se një vit më parë, në Gjakovë në Shkollën e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha”, pati bërë bujë të madhe rasti i shenjës për ndalimin e shamisë në shkollën, i cili solli edhe një mal kërcënimesh për drejtoreshën e kësaj shkolle, Florentina Gjergjaj.