image Asamblisti i VV-së që po kërkohet nga Policia, është dhëndër i ministrit Liburn Aliu

Politikë

Asamblisti i VV-së që po kërkohet nga Policia, është dhëndër i ministrit Liburn Aliu

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi ekskluzivisht për bastisjen e banesës së asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Berat Lahu, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Ushtrim ndikimi’.

Lahu përpos aktivist e asamblist i VV-së, është edhe dhëndër i ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Banesa e Lahut ishte cak i bastisjes nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, në kuadër të hetimeve për rastin ‘Brezovica’.

Asamblisti i VV-së nuk është arritur që të arrestohet ende, pasi që i njëjti është në arrati.

Lahu ishte arrestuar edhe në fillim të muajit mars nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar të Sharrit.

Ai është asamblisti më i votuar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, sipas zgjedhjeve lokale të 14 tetorit, 2021.

Ndryshe gjatë aksionit janë arrestuar edhe shtatë persona tjerë, ku dy prej tyre janë po ashtu zyrtarë të Ministrisë që drejton Aliu.

Prokuroria ka njoftuar se të dyshuarit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh nën dyshimet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” , “Fajdeja” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet ipafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/