Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Besnik Mujeci, i cili dyshohet se u kap me drogë në vlerë të 500 mijë eurove i kishte dhënë vetëm 10 euro donacione për partinë.
Këtë donacion ai e kishte dhënë nëntorin e vitit 2020, shkruan Gazeta Sinjali.
Emri i tij gjendet në listën e gjatë të donatorëve të partisë për atë vit, që kryesisht ishin njerëz me nam të Lëvizjes Vetëvendosje.
Disa nga ata – tash janë deputetë në Kuvendin e Kosovës ose amamblsitë nëpër kuvendet komunale, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndryshe, Policia e Shtetit në Tiranë ka arrestuar sot pesë persona për trafikim me lëndë narkotike, ndërkaq në mesin e të arrestuarve dyshohet të jetë edhe Besnik Mujeci, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit: Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë, shkruan Gazeta Sinjali.
Mujecit dhe të arrestuarëve të tjerë u janë gjetur 11 mijë e 300 tableta ekstazi me peshë 5kg në vlerë 400 mijë euro.
“Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Plani për shpërndarjen e kësaj sasie ekstazie ishte i detajuar. Policia ka bërë të ditur se droga futej nga Kosova në Shqipëri me autobusë, duke shfrytëzuar sezonin turistik.
Pasi dërgesat shkonin në Shqipëri, shpërndaheshin nëpër vende bregdetare.
“Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar maksimalisht për të parandaluar dhe luftuar veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shpërndarjes së drogave të lehta dhe të forta”, përfundon komunikata.
Mediat në Shqipëri kanë zbuluar detaje, sipas të cilave policë të ndryshëm ishin infiltruar si klientë.
“Ajo që binte në sy nga ky operacion është që janë vëzhguar nga agjentët e antidrogës me metoda speciale edhe në terren. Në disa raste janë bërë edhe blerje të stimuluara duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor, çka do të thotë që në disa raste punonjësit e policisë kanë qenë të infiltruar si klientë kryesisht në lokalet e natës dhe në zonën e ish Bllokut. Ajo që vinte në sy gjatë përgjimeve dhe mbajtjes në vëzhgim nga agjentët, ka rezultuar se këta persona por edhe të tjerë që janë bashkëpunëtorë, gjatë muajve të verës kanë shitur këto doza ekstazi edhe në zonat e plazhit. Konkretisht, në zonën e Himarës po Dhërmiut”, theksoi gazetarja e ABC News.
Tash me rastin pritet të merren institucionet e drejtësisë në Shqipëri.