image As partia e Limajt s’do mandatar të ri për kryeministër

Politikë

As partia e Limajt s’do mandatar të ri për kryeministër

news image

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, nga radhët e partisë Nisma Socialdemokrate, ka folur për Gazetën Sinjali pas letrës së Hashim Thaçit drejtuar Kadri Veselit për gjetjen e mandatarit të ri të Qeverisë. Shala tha se Nisma kërkon zgjedhje të reja dhe vendimi duhet t’i kthehet popullit.

Letra e presidentit Thaçi për ta caktuar mandatarin e ri për formimin e Qeverisë nuk po mbështetet nga partnerët kryesor të koalicionit, AAK dhe Nisma Socialdemokrate. Zgjedhje po kërkojnë edhe partitë opozitare.

Në një bisedë për gazetën online Sinjali, Endrit Shala, tha se presidenti ka vepruar në bazë të kompetencave të tij kushtetuese, por vendi duhet që të shkojë në zgjedhje.  

 “Nisma, pas situatës së re të krijuar në vend, pra pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka qenë edhe mandatar për krijimin e qeverisë në koalicionin PAN, zgjidhja e vetme është që vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, tha Shala.

Ai tha se zgjedhjet do të definojnë se cilat parti politike do ta formojnë qeverinë e re.

“Ti kthehet edhe njëherë vendimi sovranit, pas zgjedhjeve shihet qysh bëhen koalicionet tjera të qeverisë së ardhshme”, përfundoi Shala.

Që vendi të shkojë në zgjedhje tha edhe Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje, madje konfirmoi se deputetët e VV-së kanë ofruar nënshkrimet për shpërbërjen e Kuvendit.

Po ashtu edhe zyrtarët e AAK-së i kanë reaguar presidentit se nuk e mbështesin një ide të tillë.

Ndërsa, nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti, u ka thënë mediave se Kadri Veseli do t’i takojë krerët e koalicionit PAN për të diskutuar rreth mandatarit./Sinjali