image Arsyetimi në gjykatë i 76-vjeçarjes zvicerane që e vrau me thikë vogëlushin nga Kosova

Drejtësi

Arsyetimi në gjykatë i 76-vjeçarjes zvicerane që e vrau me thikë vogëlushin nga Kosova

news image

Dje ka filluar në Gjykatën Penale të Bazelit procesi gjyqësor ndaj zviceranes 76 vjeçares, Alice F. për vrasjen e 7-vjeçarit me prejardhje nga Kosova, Iljas M.

Që në fillim të gjykimit, pensionistja ka rrëfyer se ka vrarë vogëlushin vitin e kaluar, ndërkaq, ajo nuk e sheh fajin për këtë akt tek vetja, por tek autoritetet.

Prokuroria publike konsideron se gruaja është e papërgjegshhme penalisht (e sëmurë mentale), prandaj kërkon që ajo të mbahet nën masa kujdestarie në institutin përkatës për të sëmurë mentalë.

Në marrjen në pyetje, e pandehura ka pranuar disa herë se ajo e kishte kryer aktin më 21 mars të vitit 2019. Ajo thuhet se ka goditur me thikë një nxënësin shtatë vjeçar gjatë rrugës nga shkolla për në shtëpi.

“Unë e bëra veprën, më vjen keq, lutem çdo ditë që kjo të mund të zhbëhet”, tha ajo.

Por, gruaja e sheh veten si viktimë të autoriteteve, siç e ka pohuar me forcë disa herë. E pandehura mohon të ketë vepruar në një gjendje deliri. Ajo “nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të vepronte ashtu”.

Alice gjatë gjithë kohës kur përgjigej, kthehej në një pikë: sesi ajo dhe ish partneri i saj janë shtypur nga autoritetet.

“Ne jemi trajtuar si gjah në pyll dhe jo si njerëz”, tha ajo. Sipas aktakuzës, çifti ka luftuar kundër autoriteteve që nga viti 1977.

Një psikiatër mjekoligjor i angazhuar në proces beson se gruaja ka vepruar në gjendje deliri dhe se është e papërgjegjshme penalisht.

Për vite të tëra, ajo ka pasur idenë fikse se është viktimë e autoriteteve. Eksperti mbron vendosjen e saj në një klinikë psikiatrike dhe, ndryshe nga prokuroria publike, jo në kujdestari.

Aktgjykimi ndaj Alice do të shqiptohet sot. /Gazeta Sinjali