Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar kërkesat e të akuzuarve në rastin “Pronto” për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe rastin e ka kthyer në rigjykim, shkruan Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka siguruar vendimin e Supremes dhe ju sjell detaje.
Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata e Apelit kishte ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë për këtë rast, me ç’rast ishin shpallur fajtorë Adem Grabovci, Ilhami Gashi dhe Sedat Gashi, për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.
Në vendimin e Supremes të siguruar nga Sinjali thuhet se Apeli kishte bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Cili është arsyetimi i Supremes për këtë vendim?
Në vendim thuhet se në aktgjykimin e shkallës së parë të dënuarit ishin liruar nga akuza për shkak të mosvërtetimit se me veprimet e tyre, personave konkretë, u ishte mohuar e drejta në bazë të një përkatësie të caktuar.
Sipas Supremes, duke pasur parasysh se kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë janë paraqitur në dobi të të dënuarve Adem Grabovci dhe Sedat Gashi, shkaqet e këtij vendimi shkojnë në dobi edhe të të dënuarit tjetër, Ilhami Gashit, i cili nuk kishte paraqitur kërkesë.
Në vendim thuhet se në rigjykim gjykata e shkallës së dytë duhet të veprojë në pajtim me vërejtjet e këtij aktgjykimi dhe pretendimet të cilat janë përmendur më poshtë.
Kujtojmë se në nëntor të vitit 2020, Supremja kishte vendosur t’i refuzojë si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të akuzuarve, Adem Grabovci, Ilhami Gashi dhe Sadat Gashi, ndërsa kishte vërtetuar aktgjykimin dënues të Gjykatës së Apelit.
Në arsyetimin e vendimit të asaj date të nxjerrur nga kryetari i kolegjit Enver Peci, thuhet se mbrojtësit në ankesat e parashtuara ndaj vendimit të shkallës së dytë vetëm kanë parafrazuar shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 1.12 të KPPK, pa dhënë arsye konkrete se pse ekzistojnë shkeljet e pretenduara dhe ku qëndrojnë kundërthëniet në mes të dispozitivit dhe arsyetimit të tij.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive të kundërligjshme, personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.