image Arsyet e vazhdimit të masës së paraburgimit ndaj të arrestuarve të parë në rastin "Karaçeva"

Drejtësi

Arsyet e vazhdimit të masës së paraburgimit ndaj të arrestuarve të parë në rastin “Karaçeva”

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot se Gjykata Themelore në Gjilan ka vendosur për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për 60 ditë të tjera ndaj 24 të arrestuarve të parë në mega-aksionin e Karaçevës.

Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Sinjali thuhet se ky aktvendim u mor pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të datës 14 tetor të këtij viti.

Në arsyetimin e këtij aktvendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë thuhet se hetimet ndaj të pandehurve nuk kanë përfunduar ende dhe se të njëjtat janë në zhvillim e sipër.

Më tutje, Gjykata e Shkallës së Parë ka vlerësuar se ende qëndrojnë bazat ligjore në të cilat është bazuar caktimi i masës së paraburgimit në radhë të parë.

Po ashtu, gjykata e ka vlerësuar faktin se ka akoma persona të arratisur të dyshuar për përfshirje në këtë rast, për të cilët janë ende duke vazhduar kërkimet.

Kështu, sipas vlerësimit të gjyqtares së procedurës paraprake të kësaj gjykate, akoma ekziston baza ligjore për vazhdimin e paraburgimit ndaj të pandehurve, sepse në këtë çështje penale hetimet posa kanë filluar dhe se me gjetjen e të pandehurve në liri në këtë fazë të procedurës, kjo gjykatë vlerëson se do të kishte për pasojë shkatërrimin, fshehjen dhe ndryshimin ose falsifikimin e provave materiale dhe të kenë ndikim te dëshmitarët po edhe të bashkëkryerësit të tjerë (të cilët janë ende në kërkim).

Masa e paraburgimit edhe për dy muaj do të vazhdohet ndaj të pandehurve: Ferid Leci, Hydush Kastrati, Sokol Keka, Imer Spahiu, Fatmir Kallaba, Asllan Kryeziu, Blerim Spahiu, Raif Thaçi, Selami Geci, Sllavisha Nikoliq, Svetozar Markoviq, Zllatan Arsiq, Driton Spahiu, Albert Thaçi, Albert Sadiku, Fatmir Spahiu, Naim Kryeziu – Obama, Sead Dërmaku, Fadil Spahiu, Shefik Sadiku, Ferat Zeqiri, Rrahim Gashi, Lulëzim Gashi dhe Nexhat Çaka dhe do të llogaritet nga data 16 tetor për të vazhduar deri më 15 dhjetor të këtij viti.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali/