image Arsyeja që u ulën rastet e gripit sezonal në Kosovë

Shëndetësi

Arsyeja që u ulën rastet e gripit sezonal në Kosovë

news image

Nesrije Paqarada, specialiste e mjekësisë familjare thotë se bartja e maskave dhe respektimi i distancës sociale sa i përket luftës kundër koronavirusit, ka rezultuar në ulje të rasteve me grip sezonal, shkruan Gazeta Sinjali.

Ajo thekson se, pasi gripi sezonal bartet përmes teshtimës, ka gjasa që bartja e maskës dhe ruajtja e distancës për shkak të pandemisë, ka bërë që këtë vit të ketë numër më të ulët të rasteve me grip sezonal.

“Këto ditë kemi më pak raste me grip sezonal. Gripi sezonal është një infeksion viral ngjitës i organeve të frymëmarrjes dhe rrugëve të frymëmarrjes. Shkaktohet nga disa tipe të virusit A, B dhe C. Në këtë vit nuk kanë qenë shumë të shpeshta rastet, ndoshta mund të themi që përdorimi i maskave dhe i distancës ka kontribuar që numri i pacientëve me infeksione virale pra me grip sezonal ka qenë më i vogël”, u shpreh ajo për EO.

Specialistja e mjekësisë familjare po ashtu ka treguar se ka pasur një numër të madh të të moshuarve të interesuar për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal.

“Mund të jetë edhe vaksinimi që tek ne bëhet çdo vit. Vaksinimi i personave më të vjetër me vaksinën kundër gripit sezonal për të cilën mund të themi që në vendin tonë është mjaftë e suksesshme”, u shpreh ajo.

Paqarada gjithashtu ka treguar se ka vështirësi në gjetjen e dallimit mes simptomave të gripit sezonal dhe koronavirusit.

Ajo ka thënë se si dallim i vetëm që kanë arritur të evidentojnë deri më tani është vetëm koha e inkubacionit, ku gripi sezonal zgjatë deri tri ditë kurse personi me Covid ka simptoma deri në shtatë ditë. /GazetaSinjali/