I lidhur prej kohësh me një transferim te Liverpooli, talenti i ri meksikan Gilberto Mora mund të përfundojë te një tjetër klub i madh i Ligës Premier, te Arsenali.
Gjatë ditëve të fundit, disa media kanë raportuar për interesimin në rritje të Liverpoolit për mesfushorin 17-vjeçar, ndërsa disa burime kanë pretenduar se “Të Kuqtë” ishin të gatshëm të përshpejtonin negociatat për ta siguruar shërbimin e tij.
Megjithatë, plani i klubit nga “Anfield” mund të përballet me një pengesë serioze, pasi në garë është futur edhe Arsenali.
Sipas “CaughtOffside”, klubi londinez është i vendosur të bëjë gjithçka për ta fituar garën për njërin prej talenteve më premtues të futbollit meksikan dhe është gati të përmirësojë ofertën që Liverpooli i ka paraqitur tashmë klubit të Morës, Club Tijuana.
Edhe pse nuk janë zbuluar detaje të shumta rreth shumës së propozuar, Gilberto Mora ka kontratë me Tijuanan deri në vitin 2029, ndërsa marrëveshja e tij përfshin një klauzolë lirimi prej 25 milionë eurosh.
I formuar në akademinë e “Xolos”, Mora u promovua në ekipin e parë në verën e vitit 2024 dhe që atëherë ka bërë paraqitje mbresëlënëse.
Mesfushori ka zhvilluar gjithsej 53 ndeshje zyrtare, duke realizuar 10 gola dhe duke dhuruar dy asistime.
Paraqitjet e tij kanë bërë që ai të fitojë edhe besimin e Kombëtares së Meksikës, për të cilën deri tani ka zhvilluar 12 ndeshje ndërkombëtare.
Me interesimin e Arsenalit dhe Liverpoolit, e ardhmja e Gilberto Morës pritet të jetë një nga historitë më interesante të afatit kalimtar, pasi dy prej klubeve më të mëdha angleze po luftojnë për firmën e një prej talenteve më të mëdhenj të gjeneratës së re.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!