image Arrihet dakordësia: Kuvendi i Shqipërisë drejt miratimit të mbështetjes pa rezerva për rezolutën për Kosovën

Shqipëri

Arrihet dakordësia: Kuvendi i Shqipërisë drejt miratimit të mbështetjes pa rezerva për rezolutën për Kosovën

news image

Duket se qëndrimi i të gjithë deputetëve në seancën e nesërme do të jetë për miratimin e një rezolute të përbashkët, pa rezerva për Kosovën

Grupi Parlamentar i PD kërkoi unifikimin e qëndrimit të Kuvendit të Shqipërisë me atë të Kuvedit të Kosovës, duke mbështetur rezolutën që ky i fundit miratoi më 28 Shtator.

Në atë Rezolutë bëhet përgjegjëse Serbia për sulmin më 24 Shtator dhe kërkohet hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi propozoi më 29 shtator unifikimin e qëndrimit me Kuvendin e Kosovës, vetëm një ditë pasi Kosova miratoi rezolutën e saj.

Nga ana e tij, Grupi Parlamentar i PS nuk ishte i këtij qëndrimi dhe prezantoi një propozim, duke pasur një qasje më të balancuar.

“Në draftin e dorëzuar në 2 Tetor nga kreu i grupit parlamentar socialist Bledi Cuci, propozoheshin disa qëndrime më të zbutura në raport me Rezolutën e Kosovës, duke shmangur nga përgjegjësia Serbinë, dhe duke shmangur hetimin ndërkombëtar ndaj Serbisë, të cilës socialistët donin ti njihnin rolin për të hetur ajo vetë sulmin.”, raporton TCH.

Edhe pse palët shprehën në vazhdim vullnetin për të dalë më një qëndrim të përbashkët, ato u ndanë qartësisht në qëndrime për disa ditë.

Por në 24 orët e fundit, opozita duket se ia ka dalë të bind mazhorancën që të ndryshojë qëndrim. Pas diskutimeve të gjatë mes palëve, socialistët kanë rënë dakord me qëndrimin e opozitës për të mbështetur pa rezerva Rezolutën e Kosovës, duke bërë të mundur kështu që Kuvendi i Shqipërisë të unifikojë qëndrimin me Kuvendin e Kosovës, sipas parimit “Një komb, një qëndrim”.

Palët kanë arritur kështu dakordësinë që nesër Kuvendi të miratojë një Rezolutë që parashikon mbështetjen plotësisht të Rezolutës Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023; hetimin ndërkombëtar dhe nxitjen për të vijuar dialogun me qëllim final njohjen e pavarësisë së Kosvës nga ana e Serbisë.

Në këtë mënyrë, Shqipëria unifikon plotësisht qëndrimin me Kosovën, duke mbajtur përgjegjëse Serbinë për sulmin e 24 Shtatorit dhe duke bërë gjithçka që të ketë një hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë.

/GazetaSinjali/