image Arrestohet zyrtari policor në Suharekë, goditi me veturë një fëmijë 14-vjeçar afër vendkalimit për këmbësorë

Siguri

Arrestohet zyrtari policor në Suharekë, goditi me veturë një fëmijë 14-vjeçar afër vendkalimit për këmbësorë

news image

Tashmë janë publikuar shifrat shqetësuese të aksidenteve në trafik, ku vetëm për 7 muaj 14 këmbësorë humbën jetën pasi u goditën nga automjetet, teksa shumë të tjerë u lënduan. Një aksident i tillë ka ndodhur edhe të dielën, në Samadraxhë të Suharekës, por këtë herë i dyshuar është një zyrtar policor.

Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se zyrtari policor (emër i njohur për redaksinë) i dyshuar është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, pasi dyshohet se ka goditur një të mitur 14-vjeçar me veturën e tij private.

Siç thonë të njëjtat burime, polici ka qenë jashtë detyrës zyrtare kur dyshohet se ka shkaktuar aksidentin, si pasojë e të cilit fëmija ka pësuar lëndime të rënda trupore, për çka fillimisht është trajtuar në Spitalin e Prizrenit, e më pas është transferuar në QKUK për të vazhduar tretmanin mjekësor.

Sipas informacioneve të para, deri të aksidenti ka ardhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë, në atë mënyrë që posa polici i dyshuar ka arritur të afërsi të vendkalimit për këmbësorë, ka goditur të miturin.

Lajmin se i dyshuar është një zyrtar policor e kanë konfirmuar edhe nga Policia rajonale e Prizrenit, por nuk kanë dhënë më shumë informacione.

Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar me detajet e reja për rastin.

/GazetaSinjali/