image Arrestohet vëllai i drejtorit të Inspektoratit në Prizren, dyshohet për kontrabandim me migrantë – Sekuestrohet një autobus i agjencisë në pronësi të drejtorit

Siguri

Arrestohet vëllai i drejtorit të Inspektoratit në Prizren, dyshohet për kontrabandim me migrantë – Sekuestrohet një autobus i agjencisë në pronësi të drejtorit

news image

Policia e Kosovës sot ka realizuar një aksion në rajonin e Prizrenit, ku janë kryer bastisje në disa lokacione ku dyshohej se kryheshin veprime kriminale. Ky aksion ka rezultuar me arrestimin e dhjetëra personave të dyshuar për trafikim me migrantë dhe sekuestrimin e autobusëve të cilët dyshohet se janë përdorur për të kontrabanduar shtetasit e huaj, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se në prangat e Policisë ka përfunduar edhe Labinot Ukaj i njohur si ‘Lab Bashkimi’, i cili është vëllai i drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Islam Ukimeri. Ky i fundit është edhe pronar i kompanisë turistike ‘Bashkimi Reisen’.

‘Lab Bashkimi’
Islam Ukimeri

Lidhur me arrestimin e vëllait të tij, ka folur edhe vetë Ukimeri, i cili tha për Sinjalin se nuk e di ende se përse është arrestuar vëllai i tij, teksa ka mohuar të jenë kryer bastisje në kompaninë e tij.

Ja ja, është vëllai jem, drejtori që është i firmës se unë ja. Nuk është bastisë kompania, veç e kanë marrë vëllain tem. E kanë marrë në pyetje po më shumë nuk di. Kurrgjë s’u bastisë te na. Nuk p’e di hiç pse është arrestu vëllai, se nuk jom unë në ngjarje hiç, nuk jom kanë ktu, hala nuk jom në ngjarje hiç. Po presim ndërkohë. Na kemi veç linja Prizren – Prishtinë, na qato linja i bajmë as nuk dalim jashtë shtetit as kurrkund“, tha drejtori Ukimeri për Sinjali.

Lab Bashkimi‘, përpos vëllai i drejtorit të Inspektoratit është edhe bashkëshorti i zyrtares së Gjykatës Themelore në Prizren, Xhevahire Bislimi.

Labinot dhe Xhevahire Ukimeri

Sinjali mëson ekskluzivisht se gjatë bastisjes në kompaninë ‘Bashkimi Reisen’ ku pronar është drejtori i Inspektoratit, është sekuestruar një autobus me të cilin dyshohet se janë kontrabanduar migrantët.

Po ashtu sipas burimeve, është sekuestruar edhe vetura e bashkëshortes së ‘Lab Bashkimit’, Xhevahires, pasi që e njëjta dyshohet që po ashtu është përdorur si automjet për kontrabandimin e shtetasve të huaj.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/