image Arrestohet punonjësi i Policisë Kufitare, bashkë me të birin u përfshi në një rrahje në Gjakovë

Ekskluzive

Arrestohet punonjësi i Policisë Kufitare, bashkë me të birin u përfshi në një rrahje në Gjakovë

news image

Pjesëtarët e Policisë të cilët janë të thirrur për të ofruar rend dhe siguri dhe e kanë detyrim denoncimin  e rasteve të ndryshme, kurdo dhe kudo që ata janë prezentë, jo rrallëherë futen edhe vet në telashe. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur të hënën, në rrugën “Ganimete Tërbeshi” në Gjakovë, ku një punonjës i Policisë bashkë me djalin e tij janë përfshirë në një rrahje, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një pjesëtar të stafit civil në Drejtorinë e Policisë Kufitare dhe është ndaluar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, i dyshuari bashkë me djalin e tij, kanë sulmuar fizikisht dy persona, po ashtu babë e bir, pas një mosmarrëveshje që kanë pasur me njëri-tjetrin dhe eskaloi në dhunë.

Për pasojë, punonjësi policor dhe djali i tij kanë përfunduar në prangat e Policisë, ndërsa dy viktimat janë dërguar në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, si pasojë e lëndime që kanë pësuar.  

Për shkak të dyshimeve të ngritura dhe dëshmive që janë mbledhur dhe provojnë përfshirjen e tij në këtë rast, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalimin e dy të dyshuarve.

Gjatë kësaj periudhe, i dyshuari është suspenduar për 48 orë nga Drejtoria e Policisë Kufitare, me rekomandim të Inspektorati Policor të Kosovës.

Rasti është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Drejtoria e Policisë Kufitare, si dhe nga Policia Rajonale në Gjakovë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

/GazetaSinjali/