Policia e Kosovës, përkatësisht ajo nga rajoni i Prishtinës, ka njoftuar për Sinjalin se rreth orës 17:40 ka ndodhur grabitja e armatosur në një institucion mikrofinanciar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Menjëherë pas informatës të gjitha njësitë policore të rajonit të Prishtinës janë aktivizuar me shpejtësi dhe kanë nisur punën e tyre në drejtim të identifikimit të të dyshuarit, marrjes e përpunimit të informacioneve si dhe kanë realizuar një operacion të rrufeshëm për kapjen e të dyshuarit. Ndërmarrja e këtij operacioni të shpejtë si dhe veprimet operativo- hetimore tejet të sofistikuara kanë rezultuar me kapjen dhe arrestimin e personit të dyshuar në ikje e sipër vetëm pak minuta pas ngjarjes”, njofton Policia për Sinjalin.
Me këtë rast është arrestuar F. R, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.
Ai dyshohet me bazë të jetë i implikuar në rastin e grabitjes në fjalë u krye në lagjen Dardania të Prishtinës përderisa i njëjti po përpiqej t’i shmangej ndjekjes së policisë.
Ndërkohë që policia ka arrestuar të dyshuarin, pas kontrollit të ushtruar ka arritur të gjej dhe sekuestroj;
• Një revole të llojit dhe tipit të veçantë,
• Një sasi të konsiderueshme parash, të cilat dyshohet të jenë paratë e grabitura.
“Aktualisht po vijon puna hetimore me qëllim ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit si dhe ndërlidhjen eventuale të këtij të dyshuari me raste të tjera kriminale”, njofton Policia.