Policia e Shqipërisë ka arrestuar në Vlorë një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dënuar për trafik droge.
Sipas njoftimit zyrtar, 48-vjeçari është lokalizuar dhe kapur në një lokal në zonën e Borshit, gjatë operacionit policor të koduar “Metodat”, të zhvilluar nga strukturat e Policisë së Vlorës.
Ai ishte dënuar nga Gjykata e Katanias në Itali me 12 vjet e disa muaj burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
“Gjatë operacionit u bë lokalizimi, kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit M. H., 48 vjeç, banues në Babicë e Vogël, Vlorë, i dënuar nga drejtësia italiane”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas arrestimit, autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se ndaj tij do të ndiqen procedurat ligjore për ekstradim drejt Italisë.
Gjatë operacionit është arrestuar edhe një tjetër shtetas shqiptar, ndërsa një shtetas italian është proceduar në gjendje të lirë për përkrahje të autorit të krimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!