Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit dhe Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë, dje ka pranuar palën ankuese i cili ka deklaruar se është pronar i një firme ndërtimi që merret me ndërtime të larta. Ankuesi ka treguar se është duke e ndërtuar një objekt në një lagje të Prishtinës dhe përkundër faktit që posedon leje ndërtimi iu kanë ndaluar punimet nga një inspektor ndërtimi i Komunës së Prishtinës dhe sipas tij, ky i fundit i kishte kërkuar ryshfet për t’ ia lejuar vazhdimin e punimeve.
“NJHRKEK – Prishtinë pas pranimit të informatës, ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të verifikimit të informacionit që jep ankuesi, sigurohet simulimi i veprës penale (sigurimi i parave, fotografimi i parave që do përdoren për simulim). Dje, më 29.09.2020, në ora 17:00, në një restorant në Prishtinë realizohet arrestimi në flagrancë i një të dyshuari i cili kishte pranuar një shumë parash nga ana e ankuesit. Paratë e marra i gjinden në çantë personit të dyshuar”, njofton policia transmeton Gazeta Sinjali.
Më këto veprime i dyshuari dyshohet se ka kryer veprat penale: ’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘marrja e ryshfetit’.
I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar të PTH-Prishtinë, i njëjti me akt-vendim për ndalim të dyshuarit është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Gazeta Sinjali/