image Arrestohet kandidati i LDK-së për deputet dhe vëllai i tij në Prizren, dyshohet se u përfshinë në një rrahje

Siguri

Arrestohet kandidati i LDK-së për deputet dhe vëllai i tij në Prizren, dyshohet se u përfshinë në një rrahje

news image

Ish-kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Prizreni, Florent Ukaj, tashmë asamblist në komunën e Prizrenit është arrestuar gjatë ditës së djeshme bashkë me vëllain e tij, Fatonin, nën dyshimet se janë përfshirë në një rrahje, në fshatin Serbicë e Ulët, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy Florenti dhe Fatoni, djemtë e ish-deputetit, Xhavit Ukaj, janë ndaluar pasi dyshohen për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”. Sinjali mëson se rrahja ka ndodhur gjatë një ndeshje të futbollit në këtë fshat, ku përveç vëllezërve Ukaj, në rast është i përfshirë edhe një person tjetër, po ashtu nga familja Ukaj.

Për motive ende të panjohura, ata dyshohet se janë rrahur me dy persona të tjerë, të cilëve iu kanë shkaktuar lëndime trupore, si pasojë e sulmit fizik. Në vendin e ngjarjes ka intervenuar edhe Policia e Kosovës, ku pasi njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, teksa të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.

Sipas të njëjtave burime, ndaj tre të dyshuarve është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe pritet dorëzimi i kallëzimit penal brenda afatit ligjor.

Ndryshe, Florent Ukaj është edhe nënkryetar i forumit rinor të LDK-së në Prizren.

Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar në lidhje me detajet e reja të rastit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/