Ish-komandanti i nën stacionit policor në fshatin Rakosh të Istogut është arrestuar sot në fshatin Lubozhdë, raporton Gazeta Sinjali.
Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën me dije se Z.Z., 69-vjeçar, dyshohet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë viteve 1998-1999.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës (DHKL), kanë arritur që sot, më 05.08.2023, rreth orës 12:30, në fshatin Lubozhdë të komunës së Istogut të lokalizojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin Ž.Z., viti i lindjes 1954, i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë vitit 1998-1999 në Komunën e Istogut”, thuhet në njoftim.
I dyshuari është shoqëruar në zyrat e DHKL-së ku pritet të intervistohet në cilësi të dyshuarit në prezencë të avokatit mbrojtës.