Arratisja e personave të dënuar me urdhër të lëshuar nga gjykata është një dukuri shqetësuese në Kosovë, që po ndodh shpesh. Shumë të dënuar arrijnë t’i shmangen vuajtjes së dënimit për periudha të gjata, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali mëson se një tjetër person i kërkuar nga organet e drejtësisë është ndaluar nga Policia e Kosovës gjatë një patrullimi të zakonshëm mbrëmjen e kaluar në kryeqytet.
Burime të sigurta bëjnë me dije se bëhet fjalë për Burim Shabanin, i cili është ndaluar nga njësitë policore më 06 korrik 2025, rreth orës 23:30, në rrugën “Anton Qeta” në Prishtinë.
Gjatë verifikimit në sistemin SIPK, ka rezultuar se ndaj tij ekziston një urdhërarrest aktiv i lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të: “Posedimit të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe “Ngacmim”.
Shabani ishte dënuar me gjobë në shumën prej 700 euro, por për shkak të mos pagesës së gjobës, dënimi i është shndërruar në 35 ditë burgim.
Pas arrestimit, i njëjti është dërguar për vuajtjen e dënimit në Qendrën Korrektuese të Hajvalisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.