Një ‘AKU-burmashinë’ dhe një ‘brusalicë’ u bënë shkak që ndaj një 34-vjeçari në Fushë Kosovë të hapet rast në Polici dhe i njëjti të shpallet në kërkim policor, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se personi që kërkohej tash e 40 ditë pasi dyshohej se ka kryer veprën penale ‘Mashtrim’, është arrestuar dje nga Policia.
Sinjali mëson se i dyshuari kishte huazuar dy mjetet e punës nga një person dhe kishte ‘dhënë fjalën’ se ato do t’i kthejë pak më vonë. Por ai nuk veproi kështu, pasi që të njëjtat mjetet i kishte shitur brenda ditës te një person i panjohur për 130 euro.
Kjo bëri që rasti të denoncohej në Polici dhe 34-vjeçari t’i ikë detyrimit për t’u paraqitur në Stacion Policor për më shumë se një muaj.
Posa u kap nga Policia, ai u shoqërua në stacion për intervistim, ku gjatë dhënies së deklaratës nuk hezitoi të pranojë se ka kryer veprën për të cilën kërkohej.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar që 34-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.