22-vjeçari, Leotrim Rama, për të cilin Gazeta Sinjali kishte raportuar se është keqtrajtuar brenda stacionit policor nga polici Haris Kelmendi, është arrestuar sot.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë, Agron Borovci.
“Më datë 01.06.2021, rreth orës 00:05, është raportuar për një përleshje fizike në mes të disa personave të ndodhur në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes me ç’ rast ka arrestuar të dyshuarin; L.R, 22 vjeç, shtetas Kosovar”, ka thënë Borovci.
Ai ka bërë të ditur se Rama, dyshohet se nën ndikimin e akoolit ishte përfshirë në një rrahje në Prishtinë, me ç’rast u ka shkaktuar lëndime trupore me mjet të mprehtë dy personave, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
“Nga hetimi preliminar janë ngritur dyshimet se, i dyshuari me një mjet të mprehtë u ka shkaktuar lëndime trupore dy viktimave të cilët janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë Borovci.
Tutje, Borovci ka bërë të ditur se i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh dhe ndaj tij është iniciuar një hetim për rastet vrasje në tentativë.
“Ndërkohë që i dyshuari është arrestuar, ai ka marrë trajtimin e nevojshëm nga mjekët emergjent si dhe ka rezultuar të jetë nën ndikim të alkoolit. Me rekomandimin e prokurorit të shteti i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh dhe ndaj tij është iniciuar një hetim për rastet vrasje në tentativë si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, tha Borovci. /Gazeta Sinjali/
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.