Policia e Krujës ka arrestuar një 21-vjeçar, i dyshuar për përfshirje në disa raste grabitjesh dhe posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit.
Sipas autoriteteve, i riu dyshohet se më 15 qershor ka grabitur një pikë karburanti në zonën e Krastës, ndërsa disa ditë më vonë është identifikuar edhe për një tjetër tentativë vjedhjeje në fshatin Radë, ku kishte hyrë i maskuar dhe i armatosur në oborrin e një banese.
Gjatë operacionit policor për kapjen e tij, i dyshuari ka tentuar të largohet nga vendngjarja, por është neutralizuar nga forcat e rendit rreth 300 metra larg vendit të incidentit.
Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve janë sekuestruar dy armë zjarri, përfshirë një automatik dhe një pushkë, të cilat dyshohet se posedoheshin nga 21-vjeçari.
Hetimet për rastin po vazhdojnë, ndërsa materialet i janë referuar prokurorisë për procedura të mëtejshme ligjore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!