image Arrestohen katër ish-zyrtarë të Telekomit të Kosovës, keqpërdoren kontrata qindra mijëra euro

Siguri

Arrestohen katër ish-zyrtarë të Telekomit të Kosovës, keqpërdoren kontrata qindra mijëra euro

news image

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka arrestuar katër persona të cilët dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar”, “Përvetësim në detyrë” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, raporton Gazeta Sinjali.

Arrestimi i tyre u bë gjatë një kontrolli që kjo njësi në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë kreu në dy lokacione të ndryshme në Prishtinë.

Ata dyshohet se i kanë kryer këto vepra në cilësi të personave zyrtarë në Ndërmarrjen Publike Telekomi i Kosovës.

Njëri nga të dyshuarit ka ushtruar funksionin e drejtorit të marketingut dhe tjetri drejtorit të Financave.

Burime të Gazetës Sinjali brenda prokurorisë bëjnë të ditur se të arrestuarit dyshohen se kanë keqpërdorur për përfitime personale një kontratë në mes të Telekomit dhe një operatori ekonomik, vlera e të cilës arrinte në 327 mijë e 514 euro.

Ndërkaq, dy të arrestuarit e tjerë dyshohen se kanë përpiluar dhe firmosur dokumentet e falsifikuara dhe me përmbajtje të rreme, në emër të personave të tjerë.

Sinjali mëson se katër të dyshuarit janë intervistuar dhe prokurori i rastit ka urdhëruar që të njëjtit të dërgohen në mbajtje./Gazeta Sinjali/