image Arrestohen dy persona në Gorazhdec, dyshohen për ryshfet dhe ndikim në vota në favor të Listës Serbe

Siguri

Arrestohen dy persona në Gorazhdec, dyshohen për ryshfet dhe ndikim në vota në favor të Listës Serbe

news image

Dy persona janë arrestuar sot në fshatin Gorazhdec të Pejës, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin”, raporton Sinjali.

Sipas Policisë së Kosovës, informacionet e pranuara gjatë ditës së zgjedhjeve kanë ngritur dyshime për aktivitete të kundërligjshme me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor.

Burimet zyrtare bëjnë të ditur se rasti lidhet me dyshimet për orientim dhe ushtrim ndikimi ndaj votuesve në Gorazhdec, me qëllim që ata të votonin për Listën Serbe.

Pas pranimit të informacionit, njësitë relevante policore kanë ndërmarrë veprime operative, përfshirë bastisje, me ç’rast janë hasur dhe arrestuar dy persona, shtetas kosovarë të nacionalitetit serb, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në rast.

Të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit rajonalë, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë.

Policia ka njoftuar se veprimet janë zhvilluar në koordinim me organet e drejtësisë dhe ka theksuar se do të vazhdojë angazhimet për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe parandalimin e çdo ndërhyrjeje të kundërligjshme në vullnetin e votuesve.

Njëkohësisht, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë lirshëm dhe pa presion, duke raportuar çdo parregullsi apo tentativë për ndikim te institucionet kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/