image Arrestohen dy ish-ushtarët gjermanë që dyshohen për plane terroriste

Evropë

Arrestohen dy ish-ushtarët gjermanë që dyshohen për plane terroriste

news image

Janë arrestuar dy ish ushtarë gjermanë pasi që dyshohen se kanë tentuar të formojnë një forcë mercenare terroriste për të luftuar në luftën civile të Jemenit, bënë të ditur prokurorët gjermanë.

Pas bastisjeve të policisë në jug të Gjermanisë gjatë ditës së mërkurë, Arend-Adolf G. dhe Achim A. përballen me akuza për terrorizëm, shkruan BBC, përcjell Gazeta Sinjali.

Dy ish-ushtarët dyshohet se kishin planifikuar rekrutimin e 150 burrave për një ushtri private të përbërë nga ish-policë dhe ish-ushtarë.

Sipas prokurorëve, ish-ushtarët e akuzuar donin që Arabia Saudite t’ua financonte operacionet private në Jemen.

Të dyshuarit u munduan që t’i kontaktojnë agjencitë e qeverisë së Arabisë Saudite, por nuk morën përgjigje dhe përpjekjet e tyre ishin të pasuksesshme.

Prokurorët pretendojnë se Arend-Adolf G., dhe Achim A., kishin vendosur që të formojnë një forcë mercenare nën komandën e tyre ekskluzive në fillim të këtij viti. Sipas prokurorëve, dy të akuzuarit planifikonin që secilit anëtar të grupit t’i jepnin rrogë prej rreth 40.000 eurosh në muaj.

Arend-Adolf G., dyshohet se tashmë është përpjekur që të rekrutojë të paktën shtatë persona.

Revista gjermane “Spiegel” raportoi se forca mercenare ishte e planifikuar për të sulmuar dhe kapur zona që janë nën kontrollin e rebelëve Houthi në Jemen.

Prokurorët gjithashtu dyshojnë se burrat e akuzuar donin që ta reklamonin shërbimin e tyre ushtarak për t’u angazhuar në konflikte tjera.

Njëri nga të akuzuarit u arrestua në Mynih dhe tjetri në distriktin jugperëndimor, Breisgau-Hochschwarzwald. Banesat e tyre në Bavari dhe Baden-Wurttemberg janë bastisur.

Të dy të arrestuarit pritet që të dalin në gjykatë të mërkurën në një seancë për caktimin e paraburgimit. /GazetaSinjali/