Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë grabitjet e vjedhjet e shpeshta që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin pa lënë ndonjë gjurmë, por kamerat e sigurisë shpesh i nxjerrin zbuluar, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur para dy ditësh në kompaninë Beni-Com në Obiliq, ku dy persona po dyshohen se kanë vjedhur material ndërtimor.
Siç mëson Sinjali, të dyshuarit janë identifikuar pasi rasti është denoncuar në Polici dhe si rezultat, të njëjtit janë arrestuar.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të ndaluarit janë recidivistë të veprave të tilla, pasi dyshohen edhe për raste të tjera të vjedhjeve.
Pas shoqërimit në stacion policor, të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit policorë, me ç’rast kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin e fundit.
Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj të dyshuarve dhe dorëzimin e kallëzimit penal.
Lajmin për arrestimin e tyre e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.