Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka zhvilluar një aksion sot në Graçanicë, ku janë arrestuar dy zyrtarë komunalë, nën dyshimet se janë përfshirë në veprat penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare” dhe “Marrje e ryshfetit”, raporton Gazeta Sinjali.
Dy të arrestuarit janë zyrtarë nga Drejtoria e Kadastrit dhe Pronës dhe dyshohet se kanë kërkuar nga një qytetar 25 mijë euro për përfundimin e një lënde në lidhje me bartjen e pronësisë.
“Pas marrjes se këtij informacioni hetuesit e krimeve ekonomike dhe korrupsionit nga Policia e Kosovës kanë aplikuar masat e veçanta me ç ‘rast më dt. 26.12.2024, gjatë një operacioni taktik kanë arrestuar në flagrancë dy të dyshuar me iniciale (V.S dhe Z.M) duke pranuar mjetet monetare në vlerën e cekur me lartë me qëllim të përfundimit të lëndës. Ndërsa, tre të dyshuarit tjerë dyshohet që në bashkëveprim kanë kryere veprat penale të cekura më lartë.”
Pas arrestimit të personave të dyshuar, janë kryer bastisje në tri lokacione.
“Në shtëpinë e të dyshuarit V.S., janë sekuestruar 5,000.00€ para të gatshme; në shtëpinë e të dyshuarit me iniciale D.F., janë sekuestruar 2,000.00€ para të gatshme.
Po ashtu janë sekuestruar: 7 (shtatë) telefona mobil personal, pronë e të dyshuarve të cilët do të dërgohen për ekzaminim të mëtutjeshëm.”
Ndaj V.S, dhe Z.M., është caktuar masa e ndalimit, ndërsa tre personat e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.