Kryeministri i Kosovës në largim, Ramush Haradinaj, ka shmangur pyetjet ndaj tij lidhur me arrestimet e mundshme nga Gjykata Speciale. Haradinaj duke aluduar në Hashim Thaçin, ka thënë se përgjigje për këto çështje mund ta japin ata që votuan me ngulm themelimin e saj, shkruan Gazeta Sinjali.
Në konferencën ndoshta të fundit të Ramush Haradinajt si kryeministër në largim, është pyetur me paralajmërimet se nga nëntori mund të ketë arrestime nga Gjykata Speciale.
“Për arrestime nuk di asgjë, duhet me i pyet ata që e kanë votuar, ata është më mirë e i pyet”, ka deklaruar Haradinaj.
Ndryshe, Hysni Gucati, nga OVL e UÇK-së, kishte paralajmëruar ditë më parë se sipas informacioneve të tij jo zyrtare nga nëntori mund të ketë arrestime nga Gjykata Speciale.
Kjo organizatë ka paralajmëruar edhe protesta nëse do të ketë arrestime nga Gjykata Speciale, ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së./Gazeta Sinjali/