image Arrest shtëpiak ndaj policit dhe shokut të tij që u kapën me drogë e armë në Prishtinë

Drejtësi

Arrest shtëpiak ndaj policit dhe shokut të tij që u kapën me drogë e armë në Prishtinë

news image

Një grup prej katër personash, në mesin e të cilëve edhe një zyrtar policor, u arrestuan -pasi u kapën në flagrancë me armë e drogë. Aksioni i Policisë dhe IPK-së u zhvillua në rrugën “Bejtush Gërbeshi”, ku u ndalua vetura e të dyshuarve. Pas arrestimit, të dyshuarit u dërguan në mbajtje, ndërsa ndaj policit u shqiptua edhe masa e suspendimit, raporton Gazeta Sinjali.

Polici Gentian Lecaj, për të cilin Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht, është pjesë e Njësisë së Trafikut Rrugor të kryeqytetit dhe i njëjti u arrestua bashkë me Armat Ratkocerin, Albin Hasanin dhe Emir Istrefin.

Brenda afati ligjor, ndaj Lecajt dhe Hasanit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, nën dyshimin për tri vepra penale.

Nga Gjykata Themelore në Prishtinë e kanë konfirmuar për Sinjalin se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ndaj tyre është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për çështje penale ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 02.01.2025 për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, në çështjen penale kundër të pandehurve G.L. dhe A.H., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Posedim i pa autorizuar i narkotikëve substancave psikotrope apo analoge, i pandehuri A.H. edhe për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, ndërsa i pandehuri G.L. edhe për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre.”

Polici Gentian Lecaj i arrestuar nga IPK ishte jashtë detyrës zyrtare, por megjithatë detyrimin për raportimin e rasteve të jashtëligjshme si çdo zyrtar tjetër policor, e ka për obligim, pavarësisht kohës apo vendit.

Përfshirja e tij në këtë rast, i kushtoi me masën e suspendimit për tri ditë, ndërsa arma e tij zyrtare dhe ID zyrtare janë sekuestruar.

Lecaj dhe tre të dyshuarit e tjerë u kapën në flagrancë me një sasi të substancës narkotike, të llojit kokainë – e gjetur te polici, ndërsa në veturë u gjetën edhe dy qese të tjera me kokainë e marihuanë.

Kurse te i dyshuari Hasani, Policia ka gjetur edhe një armë ilegale, që i njëjti e mbante pa autorizim – e që po ashtu u sekuestrua në cilësinë e provave materiale.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/