image Arratisja e autorëve të krimeve që tronditën vendin, të ‘fortit’ e pakapshëm nga shteti

Siguri

Arratisja e autorëve të krimeve që tronditën vendin, të ‘fortit’ e pakapshëm nga shteti

news image

Autorët e disa prej krimeve që kanë tronditur vendin vitin e kaluar dhe sivjet akoma nuk s’kanë rënë në duart e shtetit. Arratisja si formë për të shpëtuar nga hetimi e gjykimi i këtyre rasteve po del të jetë zgjidhje për së paku pesë të dyshuar – pothuajse secili me të kaluar kriminale, raporton Gazeta Sinjali.

Dukagjin Nikollaj, Korab Gashi, Besnik Ukaj, Shani Tafolli dhe Sefë Fetoshi – janë vetëm disa nga plot emra të tjerë që kanë gisht në ngjarjet më të rënda që e shënuan vitin 2023.

“Rasti Bon Vivant 2”

Një përleshje e armatosur që rezultoi me vrasjen e 39-vjeçarit, Kastriot Ramadani, teksa mbetën të lënduar e të plagosur edhe 17 persona të tjerë, tronditi kryeqytetin mbrëmjen e 4 gushtit 2023. Kafeteria Bon Vivant, që u rihap dhe u mbyll përfundimisht, ishte vendi ku ndodhi kjo ngjarje tragjike, për të cilën vetëm një person ndodhet prapa grilave. Andi Pajaziti, i njohur me nofkën ‘Italiani’ ndodhet në paraburgim.

Por, lirinë nga arratia, po e shijon, Dukagjin Nikollaj – Duka, i shpallur në kërkim më 11 gusht të vitit të kaluar.

Policia e Kosovës e futi në kërkim policor, si i dyshuar për implikim në veprat penale “Vrasja e Rëndë në Tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”,  “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Përveç dyshimit se është përfshirë në përleshjen në Prishtinë, Duka ka të kaluar kriminale edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi rezulton si një prej shqiptarëve më të kërkuar nga FBI.

Dukagjin Nikollaj, sipas Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), dyshohet të jetë i përfshirë në blerjen e sasive të mëdha të marijuanës nga Kanada dhe shpërndarjen e tyre në zonën e New Yorkut.

I kërkuar nga katër anët e botës, Duka po del të jetë një ndër të ‘fortit’ që e sfidon edhe shtetin.

Grabitja si në filma e argjendarisë në Suharekë – Vëllai i grabitësit të vrarë i pakapshëm

Aksioni i gjerë i Policisë së Kosovës në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar që kishte cak grupin kriminal i cili kreu grabitjen në argjendarinë ‘Diakos 2’ në Suharekë, u përcoll me konfrontim.  Operacioni policor përfundoi me një grabitës të vrarë, Dukagjin Gashin, një zyrtar policor të plagosur edhe disa të arrestuar.

Por, Policia nuk arriti ta kap edhe një të dyshuar, vëllain e Dukagjinit. Korab Gashi – i cili duket të jetë i paarritshëm për organet e rendit, ia arriti të zhduket dhe të shpëtojë nga prangosja.

Gashi, po ashtu me të kaluar kriminale, u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës më 13 dhjetor 2023, ku u bë e ditur se ndaj tij është lëshuar urdhërarresti nga organet e drejtësisë.

Dukagjin dhe Korab Gashi, Bujar Basha, Leotrim Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku ishin cak i Policisë mesditën e 30 nëntorit. Njësi të shumta policore zbarkuan në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë dhe realizuan kontrolle në shtatë lokacione të ndryshme.

Lokacioni ku u vra i dyshuari Dukagjini ishte lagjja Dragodan në Prishtinë, ku u kapën disa nga të dyshuarit, por që u parapriu një shkëmbim zjarri mes Policisë dhe Gashit.

Gjatë zhvillimit të operacionit, Dukagjin Gashi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë të dyshuarin.

Arratisja e Besnik Ukajt – i dyshuari për plagosjen në Prizren

Një emër tjetër i njohur për organet e rendit është Besnik Ukaj, nga fshati Korishë i Prizrenit, i shpallur në kërkim për tentim vrasjen më 17 maj në Nashec të Prizrenit.

Për motive dhe në rrethana akoma të paqarta, Ukaj e la të plagosur Jeton Ahmetajn dhe arriti që të largohet nga vendi i ngjarjes. Nga ajo natë, Ukaj u arratis dhe akoma nuk është kapur nga Policia e Kosovës.

Më 29 maj, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren me qëllim të identifikimit dhe lokalizimit të tij, lëshoi kërkesë për bashkëpunim me qytetarët, për kapjen e Ukajt.

Besnik Ukaj është hetuar edhe për rastin e rrahjes brutale më 22 janar 2022 në Prizren, për çka Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht atë kohë.

Ukaj po ashtu ka qenë i dënuar për vrasjen e Salajdin Ukimerit, rojës së pompës së benzinës “Alba Petrol”, më 21 maj 2008 në Prizren.

Aksioni ‘Swis’ i Antidrogës – Arratisja e biznesmenit Fetoshi

Një operacion policor i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, i zhvilluar më 28 mars, në disa lokacione në Prizren dhe Gjakovë, rezultoi me arrestimin e dy personave. Rasti i koduar si ‘Swis’ rezultoi me identifikimin e të dyshuarve për shitblerje dhe shpërndarje të drogës, por jo të gjithë u arrestuan.

Tre personat që ishin cak i Antidrogës janë Kushtrim Bytyqi, pronar i lokalit ‘Sëiss’, Enis Shtavica dhe Sefë Fetoshi. Ky i fundit, pronar i ‘Velunia Club’ në Prizren ka arritur që të shpëtojë nga prangat dhe akoma nuk është kapur.

Edhe pse ka arritur që t’i shmanget arrestimit, Sefë Fetoshi, është shfaqur së fundmi në rrjete sociale.

Në disa video që ka publikuar në llogaritë e tij, shihet se i njëjti nuk ndodhet në Kosovë, e madje ka çuar mesazhe përmes këngëve që ia ka bashkëngjitur pamjeve.

Nga Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, patën njoftuar për Sinjalin se aksioni ishte ndërmarrë pas një pune të gjatë hetimore, që përfshinte aplikimin e masave të  fshehta të hetimit dhe vëzhgimit. 

‘Shani tmerri’ tmerron Policinë nga arratia

Edhe Shani Tafolli nga Ferizaj, i cili njihet si ‘Shani Tmerri’, nga gushti i vitit të kaluar ndodhet në arrati. Ndaj tij ka disa urdhëresa për vepra të ndryshme penale. Por, ndonëse në kërkim , atë s’po e ndalon asgjë që të vazhdojë me kërcënime.

Tafolli ka kërcënuar publikisht me vrasje një zyrtar policor në Policinë Rajonale në Ferizaj. Ai ka terrorizuar ndjekësit live në TikTok, duke kërcënuar, sharë e ofenduar, e madje edhe duke e ekspozuar armën, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka siguruar disa pjesë ku ai dëgjohet e madje edhe shihet teksa e nxjerrë armën dhe e kërcënon policin, duke i thënë se “kjo nuk han pasul, kjo han mish edhe gjakin e pin”.

Shani Tmerri madje e përmend edhe zyrtarin policor të vrarë para shumë vitesh, Triumf Rizën, duke iu drejtuar policit që po e kërcënonte se “kom me ta vorrin dhe kom me ta hekë uniformën. Edhe Triumfi u konë çu peshë si ti”.

Kujtojmë se krimet e natyrave të tilla konsiderohen si një nga sfidat më të mëdha për organet e rendit dhe ato të drejtësisë në Kosovë.

Arratisja po del të jetë mënyra për t’i ikur drejtësisë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/