image Armë e drogë, plot qytetarë të arrestuar çdo ditë në rrugët e Kosovës

Siguri

Armë e drogë, plot qytetarë të arrestuar çdo ditë në rrugët e Kosovës

news image

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se dje dhe sot janë zbuluar edhe disa raste të tilla dhe janë shoqëruar në Polici disa persona.

Mëngjesin e djeshëm gjatë patrullimit të Policisë në rrugën ‘Avdi Kelmendi’ në Lipjan, është kapur me armë një person që po drejtonte një veturë. Gjatë kontrollit atij i është gjetur në çantë një thikë, e po ashtu edhe një cigare që dyshohet të jetë e mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Gjësendet e kundërligjshme janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar. Pas intervistimit në stacion policor, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Me armë e drogë, u kap edhe një person tjetër në Prishtinë. Derisa ai po lëvizte me veturën e tij, u ndal për kontroll nga Policia në rrugën ‘Rrustem Statovci’. Të dyshuarit i janë gjetur në trup substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë dhe një elektroshok. 27-vjeçari është arrestuar, ndërsa droga dhe elektroshoku janë sekuestruar. Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.

Me thikë u kap edhe një i ri në fshatin Trudë në Prishtinë. 20-vjeçari u ndal për kontroll nga një njësi policore dhe më pas u shoqërua në stacion policor. Me vendim të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet për ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Mbrëmë për kontroll u ndal edhe një veturë në Shtërpcë, ku gjatë kontrollit të shoferit që po voziste, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me fishekë dhe një sasi e substancës së dyshuar  narkotike të llojit marihuanë. 28-vjeçari është intervistuar në stacion policor dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.

E pas marrjes së informacioneve për posedim të armëve ilegale, Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer mbrëmë bastisje në një banesë në fshatin Llapnasellë të Graçanicës. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri dhe disa fishekë, të cilat ishin pa lejen e organeve kompetente.  Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor. Me urdhër të prokurorit, ata do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

/GazetaSinjali/