image Arifi: Regjistrimi i popullsisë demantoi shifrat e institucioneve serbe, ku thuhej se në Serbi janë vetëm 5.800 shqiptarë

Politikë

Arifi: Regjistrimi i popullsisë demantoi shifrat e institucioneve serbe, ku thuhej se në Serbi janë vetëm 5.800 shqiptarë

news image

Kryetari i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi, tha se ditën e djeshme më 31 tetor 2022, ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë dhe amvisërive në Republikën e Serbisë.

Sipas tij shqiptarët për herë të parë pas regjistrimit të vitit 2001 iu përgjigjen thirrjes për regjistrim.

“Nga rezultatet preliminare që kemi siguruar mëngjesin e sotëm, Bujanoci numëron 54.498 banorë dhe 13.000 amvisëri, Presheva ka 59.024 banorë dhe 11.654 amvisëri, dhe Medvegja 8.459 banorë dhe 5899 amvisëri, tha Arifi.

Kryetari i Bujanocit, theksoi më tej se këto shifra tregojnë se Komuna e Bujanocit është komunë në rritje, ku në krahasim me regjistrimin e fundit të rregullt në vitin 2001, ku komuna jonë ka pasur gjithsej 43.302, sot është rritur për më shumë se 11.000 banorë.

Për gjithë këtë sukses, ai falënderon shefin e Misionit të OSBE-së në Serbi Jan Braathu, i cili ishte garantuesi më i madh që ky proces do të zhvillohet në frymën e standardeve europiane, i cili më pastaj më hapi rrugën që të marrë iniciativën për takime konsultative me përfaqësuesit e partive tjera politike shqiptare në Luginë për t’iu përgjigjur pozitivisht regjistrimit.

Kreu i Bujanocit tha se pas tri takimeve konsultative më 25 korrik 2022, nënshkruan deklaratën e përbashkët për të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë.

“Vendimi për të dalë në këtë regjistrim nuk ishte i lehtë, pas bojkotit të vitit 2011, por në fund doli të jetë i drejtë. I drejtë, sepse demantuam shifrat e regjistrimit 2011, ku shqiptarët llogariteshin rreth 5.800 shqiptarë në gjithë Serbinë. Tanimë duket qartë se numri i shqiptarëve është rreth 100.000”, tha Arifi.

Më tej kryetari i Bujanocit falemnderon të gjithë qytetarët që u regjistruan, grupën punuese pranë administratës komunale, instruktorët që udhëhoqën këtë proces, si dhe të gjithë regjistruesit në terren, të cilët derë më derë trokitën përgjatë një muaji për të regjistruar çdo banorë dhe çdo shtëpi apo banesë.

/GazetaSinjali/