image Argjentina refuzon “me forcë” dërgimin e FSK-së në Ishujt Falklands

Politikë

Argjentina refuzon “me forcë” dërgimin e FSK-së në Ishujt Falklands

news image

Kuvendi i Kosovës të mërkurën ka miratuar vendimin e Qeverisë për dërgimin e shtatë ushtarëve të FSK’së në Ishujt Falkland, si pjesë e një marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar.

FSK atje do të dërgohet në mision për mbështetje të paqes, siç tha kryeministri Kurti, derisa ia parashtroi kërkesën deputetëve.

Për dërgimin e ushtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës s’po pajtohet Argjentina, një shtet që s’e njeh pavarësinë e Kosovës pikërisht për shkak të statusit të kontestuar të këtyre ishujve.

Siç shkruan gazeta argjentinase në gjuhën spanjolle “Los Andes”, Qeveria e Argjentinës ka shprehur kundërshtimin e saj për “dërgimin eventual” të ushtarëve nga Kosova në Ishujt Malvinas, siç iu referohet ky shtet.

Ministria e Jashtme e këtij vendi tha se nëse do të dërgohen ushtarët kosovarë, “ky veprim do të përbënte një demonstrim të ri dhe të pajustifikuar të forcës dhe një largim të qëllimshëm nga thirrjet e rezolutave të shumta ndërkombëtare të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe forumeve të tjera ndërkombëtare që nxisin Argjentinën dhe Mbretërinë e Bashkuar të rifillojnë negociatat për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes mbi sovranitetin e ishujve”.

Në një deklaratë, ata njoftuan se për shkak të kësaj situate, Argjentina “do të zhvillojë një protestë formale përpara Mbretërisë së Bashkuar”.

“Qeveria argjentinase refuzon me forcë synimin për të dërguar trupa të reja ushtarake në Ishujt Malvinas, një territor argjentinas i pushtuar ilegalisht nga Mbretëria e Bashkuar, që përbën një shfaqje të pajustifikuar force dhe një largim të qëllimshëm nga thirrjet e rezolutave të shumta ndërkombëtare të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe të forumeve të tjera ndërkombëtare që i bëjnë thirrje Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar të rifillojnë negociatat për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe përfundimtare të mosmarrëveshjes mbi sovranitetit që përfshin të dyja vendet në çështjen e Ishujve Malvinas”, tha Ministria e Jashtme.

“Po kështu, ai refuzon kategorikisht karakterin e supozuar të një ‘misioni paqeje’ që do t’i jepej aktivitetit ushtarak të lartpërmendur pasi është krejtësisht i pajustifikuar”, thuhet në reagim.

“Në veçanti, dërgimi i “Forcave të Sigurisë” kosovare në Atlantikun e Jugut bie në kundërshtim me rezolutën 31/49 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që u bën thirrje të dyja palëve (Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar) të përmbahen nga miratimi i vendimeve të njëanshme që sjellin ndryshime në situatë ndërkohë që ishujt po kalojnë procesin e negociatave të rekomanduara nga i njëjta Asamble”.

Gazeta raporton se ky reagim i ministrisë argjentinase vjen pasi mediat kanë raportuar për vendimin e Kuvendit të Kosovës, të cilës i referohet si një “një republikë e vogël dhe e vetëshpallur e pavarur në vitin 2008 me miratimin e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s”.

/GazetaSinjali/