image Arbërie Nagavci për mundësinë e koalicionit me LDK-në: Kjo është mundësia e fundit

Kosovë

Reagim/ Arbërie Nagavci për mundësinë e koalicionit me LDK-në: Kjo është mundësia e fundit

news image

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, reagoi pas mandatimit të Albin Kurtit për kryeministër të vendit, duke thënë se nuk mund të prisnin në pafundësi.

Ajo u shpreh se nuk mund të rrezikonim miratimin e buxhetit dhe krijimin e situatave të vështira financiare.

“Tani më nuk ka dhe shumë kohë, 15 ditë nga nesër Albin Kurti duhet të paraqes përbërjen e Qeverisë para Kuvendit. Nuk mund të presim në pafundësi, nuk mund të rrezikojmë miratimin e buxhetit e krijimin e situatave të vështira financiare në qindra mijëra familje e as të bllokojmë krijimin e institucioneve”, deklaroi Nagavci.

Ajo theksoi se po bëjnë hapa përpara në jetësimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur me 6 tetor dhe se po angazhohen për krijimin e një qeverie që do të luftojë krimin e korrupsionin, që do të punojë shumë për zhvillimin ekonomik e përmirësimin e jetës së qytetarëve, për mundësitë e reja e hapjen e perspektivave për të rinjtë tanë.

Ajo ka theksuar se bashkë me LDK-në duhet të përmbushin shpresat për ndryshim e se kjo është mundësia e fundit për të jetësuar vullnetin e qytetarëve.

“Bashkë me LDK-në duhet të përmbushim shpresat për ndryshim. Kjo është mundësia e fundit për të jetësuar vullnetin e qytetarëve, për t’u shkëputur përfundimisht nga qeverisjet e papërgjegjshme që shkaktuan largimin e qindra mijëra qytetarëve rrugëve të botës”, vijoi Nagavci.

Ajo tha se skenarët që pengojnë realizimin e vullnetit të qytetarëve nuk mund dhe nuk duhet të ngadhënjejnë mbi zërat racional që duhet t’i dëgjojmë këto ditë.

“Është koha që premtimet t’i bëjmë realitet, që besimin që na e kanë dhënë, ta kthejmë në votimin e Qeverisë së ndryshimit”, përfundoi Nagavci