Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan Al-Saud, ka njoftuar se vendi i tij, së bashku me Katarin, do të ofrojnë mbështetje financiare për nëpunësit civilë në Siri. Lajmi u bë i ditur gjatë një konference të përbashkët për media në Damask me homologun sirian, Asad al-Shibani, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas një deklarate të përbashkët, ndihma do të ndahet gjatë një periudhe tre mujore. Megjithatë, nuk janë dhënë detaje të hollësishme mbi shumën e mbështetjes nga Riadi dhe Doha.
Ky zhvillim vjen pak pas njoftimit të Bankës Botërore se Arabia Saudite dhe Katari kanë shlyer borxhin e mbetur të Sirisë ndaj saj në vlerë prej 13.9 milionë eurosh, duke i hapur rrugë Damaskut për të marrë kredi të reja.
Vizita e ministrit saudit në Siri ndodh në vazhdën e vendimeve të fundit të SHBA dhe BE-së për të hequr sanksionet ndaj qeverisë siriane. Princi Bin Farhan theksoi se Arabia Saudite do të vazhdojë të mbështesë Sirinë në përpjekjet për rindërtim dhe rimëkëmbje ekonomike.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!