image Apple raportohet se ka larguar podkastet e mediave të pavarura ruse

Teknologji

Apple raportohet se ka larguar podkastet e mediave të pavarura ruse

news image

Gjiganti amerikan i teknologjisë, Apple, raportohet se ka larguar apo fshehur disa podkaste në gjuhën ruse që ishin prodhuar nga gazetarë të pavarur.

Agjencia e lajmeve, Mediazona, raportoi më 14 nëntor se episodet e reja të radiostacionit online Ekho Moskvy dhe medias hulumtuese, The Insider, më nuk ishin të qasshme brenda Rusisë. Podkasti i Shërbimit në gjuhën ruse të BBC-së po ashtu duket se është prekur.

Episodet më të vjetra se një javë janë ende të qasshme, raportoi Mediazona, teksa të gjithë përdoruesit jashtë Rusisë ende kanë qasje në të gjitha episodet.

Apple ende nuk ka reaguar për këto raportime.

Kjo kompani po ashtu ka larguar apo bllokuar qasjen në disa VPN dhe në disa aplikacione brenda Rusisë. Këto largime Apple i bëri pas kërkesës së rregullatorit rus të mediave, Roskomnadzor.

Në vitet e fundit, autoritetet ruse kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për të vendosur rregulla më të ashpra dhe për të kontrolluar përmbajtjen në internetin në gjuhën ruse, që njihet edhe si RuNet.

Platformat sikurse X apo Facebook janë penguar ose ngadalësuar në të kaluarën. Ekspertët besojnë se këto janë teste nga rregullatorët për të filtruar përmbajtjen ose për të ridrejtuar përdoruesit rusë.

Platforma për video, YouTube, që është në pronësi të Google, gjerësisht nuk është prekur nga rregullatorët. Por, kjo platformë ka pasur një ngadalësim.

Disa zyrtarë ua kanë lënë fajin pajisjeve të vjetruara që gjenden në Rusi, pajisje që Google nuk ka mundur t’i mirëmbajë për shkak të sanksioneve perëndimore të vendosura kundër Moskës.

Të tjerët kanë thënë se “degradimi” është i qëllimshëm dhe ka për synim që të ngadalësojë qasjen në platformë në mënyrë që të zemërojë përdoruesit, në përpjekje që t’i shtyjë ata të përdorin alternativa ruse, që janë më të kontrolluara nga shteti.

Më 14 nëntor, monitoruesit e internetit raportuan se YouTube brenda Rusisë duket se i është rikthyer shpejtësisë normale dhe në të ka qasje të plotë në gjithë Rusinë, raporton REL.

Nuk ishte menjëherë e qartë pse, por Karen Shakhnazarov, regjisor rus që udhëheq një nga kompanitë më të famshme të filmit në Rusi, gjatë një emisioni në një televizion publik tha se e kishte ngritur çështjen e shpejtësisë së YouTube gjatë një takimi që kishte pasur një ditë më herët me presidentin rus, Vladimir Putin.

Putin “më dëgjoi dhe tha se do të shikojë se çfarë po ndodh me këtë çështje”, tha Shakhnazarov.

Përpjekjet e tjera të rregullatorëve për të kontrolluar RutNet përfshijnë instalimin e pajisjeve të sofistikuara për monitorim, presionin e madh ndaj kompanive të mëdha të internetit duke i detyruar që t’i shesin firmat dhe kërkesat ndaj gjigantëve të teknologjisë që në serverët e tyre të kenë qasje rregullatorët.

/GazetaSinjali/