Aplikacioni ‘Signal’ është përmendur shumë që nga mbrëmë pasi zyrtarët e lartë të administratës Trump zbuluan gabimisht planet e luftës në një grup mesazhesh që përfshinte një gazetar të “The Atlantic” pak para se Shtetet e Bashkuara të sulmonin Huthët në Jemen.
‘Signal’ është një aplikacion falas për mesazhe, por mos u habitni nëse nuk keni dëgjuar kurrë për të.
Nuk është aq popullor sa WhatsApp dhe Messenger, të cilët mburren me miliarda përdorues.
‘Signal’, nga ana tjetër, ka rreth 40-70 milionë përdorues mujorë, të cilët e përdorin atë kryesisht për veçoritë e avancuara të sigurisë me të cilat krenohet platforma.
Aplikacioni lejon këdo të inspektojë kodin që përdor për ta kontrolluar atë, mbledh informacion minimal nga përdoruesit e tij dhe ndoshta më e rëndësishmja, nuk funksionon për fitim si rivalët e tij.
Ky aplikacion është në pronësi të Signal Foundation, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA, dhe i siguron paratë e saj përmes donacioneve dhe jo reklamave që mund të gjurmojnë përdoruesit.
Megjithatë është ende i pasigurt.
Nëse dikush fiton qasje në telefonin tuaj me ‘Signal’ të hapur – ose nëse mëson fjalëkalimin tuaj – do të jetë në gjendje të shohë mesazhet tuaja.