Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në rastin e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj dhe të tjerëve, duke i liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, shkruan Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali mëson se me aktgjykimin e marrë sot, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore, të datës 6 qershor 2018, me të cilin e liroi nga akuza Ilir Tolajn dhe të tjerët.
Sipas arsyetimit të aktgjykimit, Gjykata e Apelit ka vërtetuar se nuk qëndrojnë pretendimet e Prokurorisë se Ilir Tolaj dhe të tjerët në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktgjykimin e datës 6 qershor 2018 i ka liruar nga akuza Ilir Tolajn dhe të tjerët, mirëpo pas ankesës së Prokurorisë Speciale, Gjykata e Apelit e ndërroi aktgjykimin lirues në atë dënues, duke e shpallur fajtor ish-sekretarin e MSH-së, Ilir Tolajn, me tre vite burgim efektiv.
Lidhur me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, mbrojtja e Ilir Tolajt parashtroi ankesë kundër këtij aktgjykimi, duke e dërguar çështjen për shqyrtim në Gjykatën Supreme, e cila e aprovoi ankesën e mbrojtjes së Ilir Tolajt dhe çështjen e ktheu në rigjykim.
Ndërsa më datë 25 nëntor 2020, Gjykata e Apelit ka mbajtur seancën dëgjimore në rastin e Ilir Tolajt dhe të tjerëve dhe pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, ajo mori aktgjykim, ku vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe liroi nga akuza Ilir Tolajn dhe të tjerët.