Gjykata e Apelit ka marrë vendim në favor të Gazmend Halilajt, të cilit më 2015 i ishte ndërprerë kontrata e punës si udhëheqës i Departamentit të Inteligjencës dhe Analizës së Krimeve në Stacionin Policor në Drenas, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, Ministria e Punëve të Brendshme detyrohet ta kthejë Halilajn në pozitën e mëparshme dhe të njëjtit t’ia kompensojë pagat nga viti 2015.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar vetë Halilaj, i cili tha se në aktgjykimin e Apelit thuhet se ai mund të kthehet në Polici nga 13 dhjetori, ndërsa sa i përket dëmit, do të analizohet nga ekspertët se sa para duhet t’ia kthejë shteti atij.
Mirëpo, ai thotë se nga llogaritjet që ka bërë vetë, MPB do t’ia kthejë rreth 50 mijë euro.
“Po, unë e kam vendimin më datën 13 dhjetor me u kthy me e udhëheq Departamentin e Inteligjencës dhe Analizën e Krimeve në Stacionin Policor në Drenas. Kështu sa i përket kompensimit të dëmeve kemi me e këqyrë nëse kom punu unë diku në shtetin e Kosovës. Por unë nuk kam marrë pagë nga shteti i Kosovës, përjashtimisht në ndonjë rast, kur Prokuroria më ka angazhuar. Diku rreth 50 mijë euro Policia m’i ka borxh”, tha ai për Sinjalin./GazetaSinjali/