image Apeli refuzon lirimin e infermiereve që rrahën brutalisht të moshuarën në Pejë

Drejtësi

Apeli refuzon lirimin e infermiereve që rrahën brutalisht të moshuarën në Pejë

news image

Gjykata e Apelit e ka refuzuar kërkesën e avokatëve për lirim nga paraburgimi të infermiereve që ushtruan dhunë ndaj të moshuarës në Pejë.

Gjykata e Pejës, më 2 nëntor, kishte aprovuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për Aurona Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi të përfshira në rastin ku shihej një e moshuar duke u dhunuar fizikisht në një qendër për të moshuar në Pejë.

Prokuroria ka njoftuar se në këtë çështje ka angazhuar dy prokurorë të shtetit.

Pamjet çnjerëzore teksa rrahet e moshuara kanë tronditur vendin, por për këtë rast kanë raportuar edhe mediat e rajonit dhe ato botërore.

“Pak jam tu ja hi qysh di me sill unë, pak jam tu ja hi”, dëgjohet duke thënë infermierja Aurona Pelaj që e rrah me shuplaka e me shqelma të moshuarën në Pejë, teksa koleget e saj qeshin me zë të lartë.

Ndryshe, Sinjali javë më parë ka publikuar detaje ekskluzive nga arsyetimi i Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tri të dyshuarave, për të cilat thuhet se gjithë aktin e shëmtuar e kishin planifikuar paraprakisht.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/